THIRRJE PUBLIKE PËR APLIKIM: për të ndjekur kursin një semestër për “Drejtësia Tranzicionale: Roli i Universitetit në adresimin e çështjeve të së kaluarës”


2016-09-29, 1.40.MD | Thirrje të Hapura


Përmes këtij njoftimi, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” – Fakulteti Juridik, Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë dhe Community Building Mitrovica (CBM) i fton të gjithë studentët që të aplikojnë për pjesëmarrje në kursin “Drejtësia Tranzicionale: Roli i Universitetit në adresimin e çështjeve të së kaluarës”, i cili do të zgjasë një semestër.

Qëllimi i këtij kursi është ndërtimi i kompetencave të Universitetit të Prishtinës me anë të një programi që do të mundësojë edukimin e studentëve në drejtësinë tranzicionale, si një nga mënyrat për të kontribuar drejt ndërtimit të paqes të bazuar në vlerat e të drejtave të njeriut, mirëkuptimit kulturor, dhe komunitetit si një faktor kyç për ndërtimin e paqes. Me njohuritë e marrura nga ky kurs, studentët në të ardhmen do të mund të jenë promoterë të vlerave të lartpërmendura në vendet e punës dhe karrierës së tyre profesionale.

Ky program prezanton temën mbi drejtësinë tranzicionale në Universitetin e Prishtinës. Kjo do të jetë hera e parë ku tri subjekte tematike (drejtësia tranzicionale, të drejtat e njeriut, dhe ndërtimi i paqes) janë inkuadruar si lëndë të përbashkëta në Universitetin e Prishtinës në Kosovë.

Ky program gjithashtu, mund të shërbejë si bazë për aktivitetet në universitet që çojnë në identifikimin e rolit të fakulteteve dhe universiteteve në drejtësinë tranzicionale.

 

Rezultati i pritur është që pjesëmarrësit në këtë kurs:

• Do të fitojnë njohuri më të thella në të kuptuarit dhe argumentimin e drejtësisë

tranzicionale, të drejtave të njeriut, dhe procesit të ndërtimit të paqës;

• Do të jenë në gjendje të punojnë në përmirësimin e të kuptuarit të konceptit të drejtësisë tranzicionale dhe respektimin e të drejtave të njeriut me theks të veçantë çështjet e tematikës së Republikës së Kosovës;

• Do të fitojnë njohuri dhe aftësi që të marrin pjesë aktivisht dhe pozitivisht në çështjet e drejtësisë tranzicionale, të drejtave të njeriut dhe procesin e ndërtimit të paqes;

• Do të fitojnë njohuri më të thella mbi rastet e ndryshme të shteteve që kanë kaluar në procesin e drejtësisë tranzicionale, në nivel rajonal dhe atë ndërkombëtar;

• Do të jenë kompetentë për t’i transferuar njohuritë dhe shkathtësitë e fituara në ambientet e tyre personale dhe profesionale.

 

Fushat që do të mbulohen janë:

• Koncepti, përkufizimi dhe konteksti historik i drejtësisë tranzicionale;

• Të drejtat e njeriut dhe relacioni i tyre me drejtësinë tranzicionale;

• Mekanizmat për implementimin e drejtësisë tranzicionale;

• Gjykatat ndërkombëtare të veçanta si faktor kyç në ndëshkueshmërinë e shkelësve të së drejtave të njeriut;

• Studim dhe krahasim i vendeve që kanë kaluar në procesin e drejtësisë tranzicionale;

• Analizë e veçantë e procesit të drejtësisë tranzicionale në relacion me diskursin legjislativo-insitutucional dhe politik të ndërmarrë nga Republika e Kosovës;

Pas përfundimit të ligjëratave studentët do të hyjnë në provimin përfundimtar për të testuar njohuritë e marra nga ky kurs apo do të shkruajnë një ese mbi një temë të përzgjedhur lidhur me njësitë tematike të përpunuara gjatë gjithë kursit.

Të gjithë pjesëmarrësit, të cilët do t’i përmbushin detyrimet e tyre nga ky kurs, do t’u jepet Çertifikata e Pjesëmarrjes, lëshuar nga Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Norvegjisë.

Numri i pjesëmarrësve është i kufizuar. Në këtë kurs do të marrin pjesë 25-30 pjesëmarrës, të zgjedhur në bazë të dëshmive të paraqitura nga aplikantët, ku kujdes i veçantë do të tregohet për pranimin e pjesëmarrësve me përfaqësim proporcional të të dy gjinive, si dhe të pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme etnike dhe fetare.

Ky aktivitet është inicuar dhe është duke u implementuar nga Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina", Fakulteti Juridik. Projekti është financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë. CBM është OJQ partnere në Kosovë në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina".

Kursi do të zhvillohet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.

Afati i fundit për aplikim: E premte, 07 tetor 2016, ora 16:00.

Ky kurs është pa pagesë.

Ju lutemi dërgoni CV-në tuaj dhe një letër motivimi në e-mail adresën: drejtesiatranzicionale@uni-pr.edu, me titull “Drejtësia Tranzicionale: Roli i Universitetit në diskutimin e çështjeve të së kaluarës”

Të përzgjedhurit, do të informhen përmes emailit më 11 tetor 2016.